Ditar Jeta

Për fëmijën tim të parë

Për lindjen e fëmijës së dytë më kanë folur shumë gjëra. Më kanë treguar se fëmija i dytë është gjithmonë më i qetë; fëmijën e dytë e përjeton pa stresin dhe frikën e fëmijës së pare; fëmija i dytë rritet vetë, e gjëra të ngjashme. Por, askush nuk më foli se sa në faj do të ndjehem që e dua fëmijën e dytë aq shumë. Askush nuk më tregoi që përderisa do t’i jap gji foshnjes, sytë dhe mendjen do ta kem te fëmija i parë. Askush nuk më tha se dy fëmijë nuk e ndajnë zemrën në dy pjesë, por e dyfishojnë madhësinë e saj.

Anika – vajza ime e parë,

Në pamundësi për të ta shpjeguar tani se çfarë vlere ke në jetën time, do ta hap zemrën në blog… siç bëj shpesh herë sepse e di që shumë nëna tjera ndjehen njësoj sikur unë.

Prej momentit kur e kuptove se do të bëhesh me motër, e deri tani që je bërë motra e madhe, ti po bën çmos që të shprehësh entuziazmin për ardhjen e një bebeje në shtëpi. Tërë këtë “entuziazëm” e tregon që të na dëshmosh se nuk po xhelozon – sepse ti e di që xhelozia është e keqe… sepse, të gjithë njerëzit që na rrethojnë të kanë folur se si “duhet të duhet motra”. Këtë frazë, vetëm unë nuk ta kam thënë. Unë e di që dashuria ndaj motrës është tepër e natyrshme, andaj e di sigurt se ti dhe motra jote do të duheni pafundësisht. Unë e di se në këto momente ti ke ndjenja të përziera për ardhjen e bebes në shtëpi, prandaj në vend se të ta imponoj para kohës një gjë ty do të vie natyrshëm, unë po mundohem të të lë t’i shprehësh ndjenjat e tua të vërteta për këtë ardhje të re në familjen tonë.

Shpresoj që sa më shpejtë vjen momenti kur përfundimisht do të na besosh se nana dhe babi ty të kane beben e parë përgjithmonë – dashuri e parë! Por, tani ju kemi dy dhe jeni gjëja më e vlefshme për ne, andaj detyra jonë kryesore është që t’ju rrisim të lumtura ty dhe motrën tënde. Ne tani jemi familje katër anëtarëshe dhe bashkë na mban vetëm dashuria që japim.

Sikur ta dije Anika, se sa ka dallim ardhja e fëmijës së pare në jetë nga fëmijët tjerë! Kur morëm vesh se po bëheshim prindër me ty, jeta jonë ndryshoi përnjëherë. Nga dy të rinj pa asnjë plan për jetën, ne u bëmë familje falë teje! Kur më ishte afruar dita e lindjes, me ty, nuk e dija as çfarë të prisja. Nuk e kisha as idenë se si do të dalësh në këtë botë, por isha e lumtur.

– Këtë herë e dija se çfarë të pres nga lindja e dytë, isha në qiellin e shtatë, por në të njëjtën kohë lutesha që ti të jesh mirë dhe të të përqafoj sa më parë! –

Lindja e motrës tënde ishte e shpejtë dhe me dhembje më të forta. Kur përfundoi, u gëzova dyfish: për mua dhe për ty! Por, përderisa e shikoja Junën që sapo kishte lindur atë mëngjes të së dielës, gjithmonë e kisha në mendje mbrëmjen e së premtes para 4 vitesh kur të linda ty.

Ti pate lindur pas shumë orësh me mundime. Por sapo linde, për një sekond dhimbja kaloi. Përnjëherë ia vlejtën të gjitha dhimbjet. Në filma, kur lindin bebet qajnë shumë. Ti nuk qave… ose qave fare pak, por mua nuk më kujtohesh duke qarë. Vetëm e mbaj në mend se ishe shumë e kthjellët dhe më shikove me sytë e tu të zinj. Nuk mund të ta shpjegoj se çfarë shikimi domethënës kishe me sytë e zinj që të shkëlqenin. Në vend se unë ty të të qetësoj në momentet e para të jetës jashtë barkut të nënës, ti më morre me të butë mua! Ti e dije se sa kisha nevojë për ngushëllim e për mirësi në atë kohë, engjulli im në tokë! Kur më qepën varrën, ty të lanë pranë meje në krevatin e bebes. Ishe e kthyer nga unë, më shikoje dhe vetëm i përpëlisje sytë. Në ato momente ne folëm, ne e ndjemë lidhjen e fortë që e kemi. Unë isha e qetë ngase po komunikoja me ty.

Përderisa motra jote sigurt do të qajë shumë në fillim dhe do të na lërë pa gjumë (edhe një arsye më shumë për ty që ta xhelozosh për vëmendjen që do të ketë), unë gjithmonë do ta kujtoj sa pak ke qarë si bebe. Me ty kam qenë shumë e qetë dhe e kam dëgjuar vetëm zemrën time, prandaj edhe ti ke qenë e qetë. Me ty gjithmonë e kam pasur kontaktin e lehtë, qysh prej ditës tënde të pare asnjëherë nuk jam gabuar sa i përket nevojave tuaja. Shpresoj ta kem të njëjtën lidhje edhe me motrën tënde, edhe pse do të jetë vështirë, sepse edhe tani pas lindjes se motrës tënde unë do të vazhdoj të mundohem t’i përmbush kërkesat dhe nevojat tuaja.

Unë e di se ti tani ke nevojë për mua, e kur të rriteni, ti dhe motra jote do të keni nevojë për njëra-tjetrën. Do të më përqeshni sa here të futeni në dhomën e juaj, e mbase edhe do të mbani sekrete nga unë. Por për mua është me rëndësi që ju e keni njëra-tjetrën dhe për sa të jem gjallë do të ndjehem njeriu më me fat që kam sjellë në jetë dy vajza!

Leave a Reply

%d bloggers like this: