Jeta

Fëmijët që shkojnë në kopsht ose parashkollor

Fëmijët të cilët shkojnë në kopsht dhe në parashkollor, i fillojnë aty hapat e parë të përgatitjes për shkollim, për përgjegjësinë dhe përkushtimin që do t’ju duhet gjithë jetën. Edhe pse mosha 3-5 vjeç mund të na duket shumë herët për t’i angazhuar në punë me libra, studimet kanë treguar që pikërisht kjo është mosha e duhur për t’i përfshirë fëmijët në aktivitete të tilla. Anika ende nuk është në parashkollor, mirëpo në kopsht grupmosha e saj punojnë 2-herë në javë me disa libra që kanë figura dhe detyra logjike, të cilat i përmbushin përmes lojës.

E para gjë, ne si prindër duhet të pajtohemi se fëmija ynë nuk mund t’i ketë të gjitha shkathtësitë ose talentet që ekzistojnë në këtë botë. Jo të gjithë fëmijët kanë prirje për art, ashtu si jo të gjithë fëmijët kur të rriten do të bëhen inxhinierë. Dhe kjo gjë është shumë në rregull. Ajo që ne mund të bëjmë, është t’ju ofrojmë hapësirë dhe t’ju krijojmë mundësi për ta gjetur prirjen e tyre sa më herët të jetë e mundshme. Gjithashtu, mendoj se një angazhim indirekt i yni në aktivitetet e parashkollorit (dhe patjetër të shkollës pastaj), i bën mire fëmijës. Kuptohet, jo duke iu imponuar dhe stërngarkuar me detyra dhe jo duke ia bërë vetë detyrat e shtëpisë.

Prej kësaj moshe të hershme (3-6 vjeç), mund të dallohet se në çfarë drejtime kanë më shumë talent dhe ku mund të hasin në probleme gjatë nxënies në të ardhmen. Roli ynë si prindër është t’ju ndihmojmë nëse kanë ndonjë vështirësi në mësim.

  • Kujdesuni që të mos fajësoni fëmijën tuaj nëse ka vështirësi në parashkollor. Gjykimet si “nuk i di mire numrat!”, “nuk e ke mësuar mire vjershën në kopsht”, “deri tani duhej t’i dije shkronjat”, e bëjnë fëmijën të ndjehet i/e turpëruar, që në periudhë afatgjate nënkupton dëm psikologjik. Kuptoje që ky mund të jetë maksimumi i asaj çfarë fëmija mund ta bëjë. Sidoqoftë, nëse beson se ka ndonjë problem tjetër për mungesën e rezultateve të fëmijës, bisedo me mësuesen dhe drejtoren/in e institucionit edukativ ku e dërgon fëmijën.
  • Njihu me ambientin ku fëmija qëndron gjatë ditës. Njihu me mësueset dhe stafin; nëse ke kohë, përfshiju duke ndihmuar në aktivitete të kopshtit; mbaj kontakt gjithmonë me edukatoret dhe drejtoren/in e institucionit, si dhe me prindërit e tjerë për të shprehur vlerësimet e juaja rreth aktiviteteve edukative që zhvillohen në institucion parashkollor.
  • Mos e nënvlerëso lojën. Si në kopsht/parashkollor, ashtu edhe në shtëpi, loja është “puna” e fëmijëve. Kjo është mënyra se si fëmija mëson të logjikojë, të zgjidhë probleme dhe të tregojë aftësitë e saj/tij. Kështu që, sigurohu që fëmija juaj të kalojë pjesën më të madhe duke luajtur (luan me ju, nëse nuk ka vëllezër/motra).
  • Për një karakter sa më stabil në të ardhmen, fëmija juaj duhet të rritet me rregulla. Loja dhe humori duhet të mbizotërojë në aktivitetet e fëmijët, por kjo nuk do të thotë që duhet të neglizhoni rutinën, konsistencën dhe aktivitetet e parashikuara, të cilat janë dëshmuar që çojnë tek një sjellje më e mirë e fëmijës. Të ushqyerit, koha e gjumit, pastrimi (i trupit dhe i dhëmbëve) përgatitja për shkollë dhe aktivitete të tilla të ngjashme, duhet të jenë rutinore – të kenë një orar që nuk ndryshon asnjë ditë. Gjithashtu, këto janë aktivitete të cilat nga mosha 3 vjeçare fëmija duhet të jetë i mësuar t’i kryejë edhe vetë – nën mbikqyrjen e prindit ose kujdestarit. Rregullat të cilat fëmija duhet të mos i thyejë kurrë janë: larja e duarve para ushqimit, larja e dhëmbëve para gjumit, zbathja e këpucëve tek dera e shtëpisë, e të ngjashme.
  • Si prind, gjithmonë mendoje se çfarë konsideron si vlera në familjen tënde. Dhe mos mendo vetëm për arritjet akademike. Familjet me më së shumti harmoni, janë ato që si vlera e konsiderojnë zemërgjerësinë dhe sinqeritetin. Arritjet akademike sjellin përmbushje në jetë, por definitivisht nuk e garantojnë lumturinë. Andaj, keni kujdes se çfarë prisni nga fëmijët tuaj dhe çfarë kërkoni prej tyre – mos të jenë ata projeksion i ëndrrave dhe qëllimeve tuaja të paarritura.
  • Mësojini fëmijët të kenë empati. Mungesa e empatisë/keqardhjes tek fëmija është burimi i shumë problemeve si mashtrimi e bullizmi, e deri te problemet e shendetit mental si depresioni. Fëmijët të cilët mësojnë t’i ndajnë gjërat qysh prej kohës kur janë në çerdhe, janë treguar edhe më të suksesshëm në jetë.  
  • Kërkoni alternativa tjera të ndëshkimit. Gabimet, sidomos në fëmijëri, janë pjesë e rëndësishme e të mësuarit. Procesi i të gabuarit dhe të provuarit sërish, zhvillon dijen tek fëmijët. Në vend se t’ia përmirësoni gabimet fëmijëve tuaj, sugjerojini të provojnë sërish dhe inkurajojeni të vazhdojë deri sa t’ia dale pa gabim!

Pra, si prindër, duhet të mundohemi t’ju dëshmojmë fëmijëve tanë që jemi udhëzuesit e tyre në jetë por edhe miqtë e tyre më të ngushtë, tek të cilët drejtohen sa here që kanë nevojë. E kjo, arrihet vetëm duke qenë të afërt me ta dhe duke komunikuar pa ndërprerje me ta për çdo gjë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: