Jeta

Me i rritë fëmijët qysh jemi rritë ne

Kur flasim për zhvillimin tonë, përvoja e paraardhësve është definitivisht ajo që na ka ndihmuar të vijmë deri këtu si njerëz. Shprehitë tona të jetës, sjelljen tonë të përditshme dhe mënyrën se si i qasemi çështjeve të caktuara, i kemi si rezultat të ndërdijes kolektive. Në shumë raste kur kemi problem ose ndodhemi në udhëkryq, kthehemi tek të moshuarit – i pyesim se si kanë vepruar ata në kohën e tyre dhe nuk është çudi që shumë shpesh ata i kanë zgjidhjet për problemet tona të jetës moderne. Kjo është arsyeja pse kur e linda Anikën jam bazuar në gjërat që m’i kishte treguar nëna ime dikur dhe e kam pyetur gjyshen time për shumë gjëra rreth rritjes së fëmijës.

Sipas nje studimi për rininë në Kosovë, del se 71% e rinisë dëshiron të rrisë fëmijët në mënyrën se si janë rritur ata vet nga prindërit e tyre. Kjo gjë, në teori më duket mire. Në praktikë, s’ka shanca!

Nëse 71% e rinisë në Kosovë, me fjalinë “dua t’i rris fëmijët e mi ashtu si më kanë rritur mua” mendojnë t’i rrisin fëmijët me djep (që deri tani nuk është vërtetuar se ka ndonjë pasojë); me lojë në natyrë; me top e me baltë; me momente të lumtura pranë njerëzve të dashur; larg teknologjisë; larg gjërave materiale që kushtojnë shumë e vlejnë pak, atëherë edhe unë jam pjesë e kësaj përqindje. Por, ajo që e vërej unë çdo ditë, është se prindërit e rinj e gjejnë si arsyetim fjalinë “ashtu si na kanë rritur neve” vetëm atëherë kur iu konvenon. Nuk e dijnë se çfarë mendojnë në të vërtetë me fjalinë “dua t’i rris fëmijët e mi, ashtu si më kanë rritur mua”. Prindërit e rinj në fakt harrojnë se prindërit tanë nuk na kanë rritur me ‘monte’ e me ‘smoka’. Prindërit e rinj harrojnë se ne nuk kemi pasur “Johnny Johnny Yes Papa”, e megjithatë nuk ia kemi kthy fjalën prindërve, sikur sot qysh sillet kjo gjenerata e Youtube.

Me gjithë të mirat që i ka pasur mënyra se si na kanë rritur ne, në krahasim me sot, prindërit tanë kanë pasur shumë pak informacione sa i përket rritjes së fëmijës. Ata janë bazuar kryesisht (mos të them vetëm) në përvojën e parardhësve. Përderisa sot, përpos përvojës së paraardhësve, kemi qindra burime të mirëfillta, literaturë të pafund online prej nga mund të marrim informacionin e saktë, ta zëmë rreth një ushqimi për fëmijën. Nëse ti si prind nuk ke interesim ose thjeshtë përton të lexosh më gjatë në internet rreth ushqyerjes dhe edukimit të fëmijës tënd, mos e përdor arsyetimin se dëshiron ta rrisësh fëmijën ashtu si të kanë rritur ty – me bukë e kos. E, mos të harrojmë se edhe kosin që na e kanë dhënë neve, e kanë zënë në shtëpi, prej qumështit 100% të lopës – as nuk e kanë blerë kosin e gatshëm me vaj palme si sot, e as nuk e kanë zënë me qumësht tetrapak, që është gjithçka, e veç tamël jo. Pra, ti që “dëshiron t’i rrisësh fëmijët siç je rritur ti”, kosin a e blen a e zen?

E mos të flasim që sot, ti e ke shumë të lehtë të lexosh për një produkt ushqimor në internet. Në kohën kur na kanë rritur ne, në Kosovë, nënat tona është dashur të blejnë revista/gazeta dhe të shikojnë a ka ndonjë artikull rreth ushqyerjes së fëmijës, plus në treg nuk ka pasur aq shumë zgjedhje. Kjo pra, është arsyeja pse ne na kanë rritur me bukë e kos, e pse ne e kemi shumë më të lehtë sot t’i rrisim fëmijët me ushqim më të pasur se buka me kos. Jo që prindërit tanë nuk kanë dashur të na rrisin më mirë, por nuk kanë qenë mundësitë që ne i kemi sot.

Atëherë, pse të mos e shfrytëzojmë mundësinë që e kemi ne, të lexojmë online për metodat e rritjes së fëmijës. Të kërkojmë rekomandime në internet rreth pemëve dhe perimeve më nutritive për fëmijët, të kërkojmë rekomandime për librat më të mirë, e natyrisht, të kthehemi edhe tek më të vjetrit dhe t’i pyesim si kanë vepruar ata në ndonjë rast specifik. Po të mos kishte internet, unë nuk do të mundohesha ta praktikoj sistemin Montessori në shtëpi dhe nuk do të dija si t’ia ziej quinoan, ose si t’ia përgatis shpargujt. Nuk do të dija pse fëmija im e ka një reagim të caktuar ndaj një dukurie. Andaj, them t’i ndjekim këshillat e gjeneratës paraardhëse, gjithmonë duke u konsultuar me doktoret, por edhe me uebfaqet e mirënjohura për shëndetin e fëmijëve. Prindërit tanë nuk mund të kenë gabuar shumë, por ne mund të jemi edhe më të saktë me mundësinë për informim që e kemi sot.

Për këtë shkrim, jam bazuar nga një Instastory postuar nga Wimmelparents, blog shqip për rritjen e fëmijëve, të cilin unë e rekomandoj dhe e marr shembull në edukimin e vajzës sime.

Leave a Reply

%d bloggers like this: