Jeta

Heqja e pelenës – Si t’ia heqësh pelenën fëmijës për 1 ditë


Prej ditës së parë jashtë barkut të nënës, pelena është “miku” më i afërt i bebes. Ndërrimi i pelenës bëhet përditshmëria më normale e çdo prindi, temë e përbashkët e të gjithë prindërve… dhe ndër shpenzimet më të mëdha të buxhetit familjar. Kjo e fundit, është edhe arsyeja kryesore pse prindërit në tërë botën mezi presin t’ia heqin pelenën fëmijës dhe ta mësojnë t’i kryejë nevojat në vendin e duhur. Por, shumë pak prindër janë të informuar saktë se heqja e pelenës lidhet drejtpërdrejtë me zhvillimin psikik dhe fizik të fëmijës, prandaj heqja e pelenës thjeshtë nuk preferohet të bëhet kur vendos prindi por atëherë kur fëmija është i gatshëm.

Herën e parë kur kam provuar t’ia heq pelenën Anikës, ajo ishte 2 vjeçe. Ditën e parë që e lashë vajzën time pa pelenë, ajo nuk mund të tregonte se kur ka nevojë të dalë jashtë, nuk e ndjente kur kishte nevojë të urinojë. Prandaj, vendosa t’ia shtyej edhe pak heqjen e pelenës, sepse e kuptova që ende nuk ishte koha e duhur.

Unë bëra atë që shumë pak prindër e bëjnë, por në fakt është metoda më e lehtë: Vendosa të pres deri sa Anika të më thotë vetë se dëshiron ta heqë pelenën. Natyrisht, gjatë tërë kësaj kohe unë i kam folur për heqjen e pelenës; kemi folur për “emrin e jashtëqitjes”; e nxisja të më tregojë se kur është duke e kryer nevojën dhe ia lexoja tregimin e Lepurushit që mësohet ta kryejë nevojën në oturak (libër që unë e rekomandoj, është i botuar në gjuhën shqipe dhe besoj nuk e keni vështirë ta gjeni nëpër librari).

Kur pritja shpërblen, me të vërtetë!

Prej tentimit të dështuar për t’ia hequr pelenën Anikës, në çdo ndërrim të pelenës mendoja për ditën kur Anika do të tregojë vetë se dëshiron ta kryejë nevojën në oturak. Mendoja se kjo ditë nuk do të vijë kurrë, mendoja se në fund jam vetëm duke bërë eksperiment me fëmijën tim duke u bazuar në artikuj që i kam lexuar në internet. Dhe një ditë kur u ktheva në shtëpi pas punës, Anika më luti ta uli në oturak për ta kryer nevojën. Bisedova me të (Anika tashmë i ka 3 vjet dhe të befason me gjërat që i flet), i tregova se nëse e heqim pelenën më nuk do të kthehemi tek ajo, ia shpjegova se tani e tutje duhet të më tregojë kur i vjen nevoja për banjo… dhe për çdo gjë ajo ishte dakord.

Kështu, ia hoqa pelenën dhe prej atij momenti asnjëherë nuk i ka lagur brekët, madje as natën në gjumë! Asnjëherë në jetë nuk e kam menduar se do ta kaloj këtë process pa stres dhe pa pasur urinë gjithandej. Sekreti i vetëm i imi është që kam pritur deri sa Anika vetë ka treguar se dëshiron ta heqë pelenën! Prej ditës kur ia hoqa pelenën, Anika më ka treguar çdo here kur ka pasur nevojë të shkojë në banjo. Kemi dalur edhe jashtë shtëpisë dhe nuk është habitur asnjëherë, gjithmonë ka treguar se e ka nevojën. Natyrisht, para se të flemë; sapo të zgjohemi; para se të dalim jashtë shtëpisë dhe sapo të kthehemi në shtëpi, Anika tashmë e di se obligimi kryesor është banjo. Tani e tutje jo vetëm për t’i larë duart, por edhe për të kryer nevojat. Është me rëndësi kur fëmija e ka një orar të jashtëqitjes dhe prindi e di se në çfarë kohe mund të presë që fëmija të kërkojë ta kryejë jashtëqitjen. Ne jemi OK edhe në këtë aspekt.

Shpresoj të vazhdoj të jem kjo nëna që e lejon fëmijën e saj t’i marrë vetë vendimet, si dhe shpresoj që do të di gjithmonë ta udhëzoj drejtë për ta marrë vendimin e duhur. Deri sot, mire na ka ecur – pelenën e hoqëm por kemi ende edhe shumë sfida tjera për t’i kaluar bashkë në jetë!

Për të gjithë ju që ende jeni në dilemë dhe heqja e pelenës së fëmijës suaj ende është sfidë, ja një listë me gjërat/shenjat që duhet t’i ndiqni për ta pasur sa më të lehtë heqjen e pelenës:

1. Fëmija e lag pelenën çdo here e më pak: deri në moshën 20 muajsh, në përgjithësi bebet e kanë të vështirë ta kontrollojnë fshikëzën e urinës. Një shenjë që tregon se fshikëza e urines është në kontroll nga fëmija i juaj, është kur fëmija e di se e ka urinën dhe mund ta kontrollojë atë (ta mbajë pak). Gjithashtu një shenjë tjetër është edhe urinimi sa më i rrallë gjatë natës, kjo tregon se fshikëza e urines ka filluar t’i punojë gati si një të rrituri.

2. Fëmija ka një orë të caktuar kur e kryen jashtëqitjen gjatë ditës: kur ju e dini  se çdo ditë, në kohën e njëjtë ndjeni “kundërmimin” nga pelena e fëmijës suaj. Kjo do të thotë se funksionimin e zorrëve e ka të rregulluar, pra nuk ka rrezik për ‘të papritura’ nëse ia heqni pelenën.

3. Fëmija është i vetëdijshëm kur i vjen nevoja dhe tregon kur është duke e kryer ose tregon kur i vjen. (në këtë të fundit kemi pasur problem me Anikën – nuk ka treguar deri para rreth 10 ditësh).

4. Mund të vishet dhe të zhvishet edhe vetë – të paktën provon ta bëjë këtë dhe ia del kur vishet me rroba më të thjeshta.

Mos harroni, keni durim! Mos nxitoni t’ia heqni pelenën nëse nuk është i gatshëm. Gjatë rritjes së fëmijës, çdo gjë duhet të shkojë me kohë, nuk do të thotë se nëse fëmija e fqinjve e ka hequr pelenën, edhe i yti duhet ta heqë që tani. Kjo është një ndër fazat më të rëndësishme të zhvillimit dhe të vetëdijësimit të fëmijës, nëse e shtyeni këtë gjë me zorr, kush e di se ku do të shihen pasojat në rritjen e fëmijës tend. Andaj, ndjeki shenjat që tregojnë se fëmija yt është i gatshëm për këtë ndryshim, bashkëpuno me fëmijën dhe çdo gjë do të shkojë më së miri!

Advertisements

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Google photo

You are commenting using your Google account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: