Jeta MIM'S TRICKS

Të dëgjosh dhe të të dëgjojnë

Kur flasim me dikë, si të kuptojmë me të vërtetë çfarë po thotë personi tjetër? Ndaluni një moment dhe mendoni për një bisedë. Kur është hera e fundit që e keni parë dikë dhe e keni vënë re boshllëkun? Ne të gjithë ndoshta kemi përjetuar biseda me një mik ose kemi pasur nje bisedë me partnerin vetëm për të kuptuar se janë jashtë në një botë tjetër. Mund të pyesim; “A po më dëgjon mua?” Ndërsa përgjigja që marrim është “Hm? Po”. Shumë prindër e përjetojnë këtë kur korrigjojnë fëmijët e tyre adoleshentë. Adoleshenti rrotullon sytë ose shikon kudo tjetër përveç në sy të prindërve të tyre. Kjo gjë, jo vetëm që na ka ndodhur, por edhe ne ua kemi bërë të tjerëve.

Mendoni një moment kur jeni ndjerë të dëgjuar dhe kujtojeni atë ndjenjë të mirë që të ka kapluar trupin dhe mendjen. Ne hapemi kur e dimë se po dëgjohemi me të vërtetë; ne zgjerohemi; kemi më shumë prezencë. Ndjehemi më të sigurt dhe si rezultat rritet besimi. Kjo është arsyeja pse dëgjimi është kaq i rëndësishëm.

Dëgjimi është një veti që secili prej nesh e ka në një farë mase. Të qenurit trajnere më ka bërë mua dëgjuese më të mirë, pasi që u trajnova për të dëgjuar me vëmendje. Por, dëgjimi është një aftësi që njerëzit mund ta mësojnë dhe ta zhvillojnë.

Shumica e njerëzve nuk dëgjojnë në një nivel shumë të thellë. Preokupimet dhe shqetësimet e tyre të përditshme nuk kërkojnë më shumë se një nivel minimal dëgjimi – ashtu si shumica prej nesh kurrë nuk fitojnë më shumë se një nivel mesatar të aftësisë fizike, sepse përdorim aq sa kemi nevojë.

Mungesa e dëgjimit të vërtetë është veçanërisht e përhapur në punë. Nën presionin për të marrë punën, ne e dëgjojmë vetëm minimumin e asaj që duhet të dimë, në mënyrë që të shkojmë përpara në zjarrin e ardhshëm që ka nevojë për t’u luftuar. Pasoja: nuk është çudi që njerëzit ndjehen si funksione të thjeshta në një makinë rrotulluese, e jo si qenie njerëzore. Nuk është çudi që “angazhimi i punonjësve” është një çështje serioze në shumicën e organizatave sot. Të gjithë flasin; askush nuk dëgjon.

Trajnimi efektiv – nëse jeni menaxher i ndonje punonjësi – kjo kërkon një dëgjim efektiv, të përshtatur dhe të aftë. Dëgjuesit më të mirë dinë të maksimizojnë ndërveprimin e dëgjimit. “Interaksioni” është gjithashtu fjala e duhur, sepse dëgjimi nuk është thjesht dëgjim pasiv. Sado që dëgjimi duket veprim pasiv, ka shumë aksione në dëgjim. Sot do t’i përmendim tri lloje të dëgjimit, që në fund të këtij shkrimi, të jemi më të vetëdijshëm për herën e ardhshme që kemi një bisedë me dikënd.

Dëgjimi i brendshëm apo internal

Na ndodhë kur vetëdija jonë është mbi ne. Ne dëgjojmë fjalët e personit tjetër, por vëmendja jonë është në atë që do të thotë për ne personalisht. Një ambient tipik për dëgjimin internal është në restorant. Ndërdija juaj është e vetë-drejtuar, gjithcka ndikon në kënaqësinë tuaj, shëndetin tuaj: A doni një pije para se të porositni ushqimin? Cilat janë specialitetet sot? A është e rehatshme karriga? A jam shumë afër me kuzhinë? Si janë çmimet? Mund ta përballoj atë? Ju jeni të ndërgjegjshëm për mendimet dhe ndjenjat tuaja. Vendimet, zgjedhjet dhe gjykimet që bëni, janë të gjitha për ju. Bërtitja e brendshme e mendjes suaj është në maksimum këtu. Edhe pse jeni ulur në restorant përballë tavolinës me personin që është tmerrësisht në dashuri me ty, vetëdija e juaj është tërësisht e fokusuar në procesin e porositjes së ushqimit.

Dëgjimi i fokusuar

Ky lloj dëgjimi ka një fokus të lartë në personin tjetër. Ndonjëherë ju mund ta shihni atë në sjelljen e secilit person, kur dikush e kërkon me vëmendje njëri-tjetrin. Ekziston një vëmendje e madhe për personin tjetër dhe jo shumë faktor të botës së jashtme ndikojnë në bisedë. Le të kthehemi në skenën e restorantit dhe në dy të dashuruarit. Darka është porositur. Tani sytë e tyre janë përqendruar në njëri-tjetrin dhe asgjë tjetër. Dëshira e tyre është që të jenë aq afër sa të bëhen një. Ata janë kaq të pavetëdijshëm për botën e jashtme që kjo skenë e izolimit të plotë romantik është bërë karikaturë e përdorur në reklama. Sikur jetojnë në flluskën e tyre.

Dëgjimi Global

Dëgjimi intuitiv ose global ndonjëherë përshkruhet si dëgjim mjedisor. Vini re temperaturën, nivelin e energjisë, ndjeshmërinë ose errësirën, si në kuptimin e mirëfilltë dhe figurativ. Ju do të dini se kur po dëgjoni me intuitën tuaj. “Performuesit zhvillojnë një ndjenjë të fortë të dëgjimit intuitiv. Komedianët, muzikantët, aktorët, prezantuesit – të gjithë kanë aftësinë për të lexuar menjëherë në një dhomë përpara kamerës dhe për të monitoruar se si ndryshon gjithcka përreth tyre me anë të asaj që ata bëjnë. Ky është një shembull i shkëlqyer i vërejtjes së ndikimit të dikujt. Kushdo që është i suksesshëm në ndikimin e njerëzve, është i aftë të dëgjojë me intuite. Këta njerëz kanë aftësinë për të lexuar ndikimin e tyre dhe për të përshtatur sjelljen e tyre në përputhje me rrethanat.

Le të provojmë këtë ushtrim. Ndaluni një moment dhe mendoni se ku dëshironi të shkoni në pushimet tuaja të ardhshme. Çfarë do të dëshironit të bënit? Sa shumë do të kënaqeshit? Mirë, kështu keni marrë pushimet e ëndrrës? Tani, çfarë keni për të kryer në punë apo në shtëpi nesër? Çfarë vërejtet se ndodhi kur ju shkuat nga të menduarit për pushimet tuaja të ëndrrave për të punuar apo në shtëpi? Çfarë ndodhi në mendjen tuaj? Ju u përqendruat aq shumë në krijimin e një pushimi ëndërr dhe më pas lehtë u përqendruat per në punë ose në shtëpi. Ky ushtrim është ajo që ne duhet të praktikojmë kur kemi biseda me njerëzit. Kjo do të na ndihmojë të qëndrojmë të përqendruar në atë që thotë individi, kur e kuptojmë se nuk jemi duke dëgjuar atë që me të vërtetë dëshiron të na thotë bashkëbiseduesi. Është e lehtë të ndërpresësh dikënd me këshilla dhe zgjidhje. Duhet praktikë, praktikë, më shumë praktikë dhe përpjekje e mirë për të qenë një dëgjues i vërtetë.

Një dëgjues i vërtetë interesohet me të vërtetë për individin me të cilin flet. Dhurata e dëgjimit është një nga dhuratat më të mira që mund t’i japim bashkëshortit, fëmijëve, miqve, të afërmve, bashkëpunëtorëve, punonjësve, është dicka që vlerësohet, ka rezultat pozitiv dhe asociohet me ndjenja kënaqësie.

Leave a Reply

%d bloggers like this: