Ditar Jeta

Unë fle në shtrat me vajzën time

…dhe kjo është ndjenja më e mirë në jetë

Gjatë muajve të shtatzënisë, teksa lexoja literaturë për nënat dhe fëmijët, shpesh hasja në nocionin “co-sleeping” që i referohet gjumit në një krevat me fëmijën. Sa më shpesh që e lexoja këtë nocion, aq më shumë më hynte në kokë se fëmija, për të qenë më i pavarur dhe për t’i lënë prindërit të flenë të qetë, duhet të flejë në shtrat ndaras, mundësisht edhe në dhomë tjetër.

Pasi që lindi Anika, gjithmonë insistoja që ta vë në gjumë në shtratin e saj dhe ashtu ndodhi… deri sa i bëri 4 muaj dhe filloi të zgjohet më shpesh natën për të pirë, e unë e përgjumur vazhdoja ta mbaj në shtratin tim – gjithmonë duke u kujdesur mos të ndodhë SIDS (t’i zihet fryma në gjumë prej meje ose bashkëshortit tim).

Kjo rutinë e zhvendosjes prej shtratit të Anikës në shtratin tim në gjysmë të natës vazhdoi deri sa Qupi i bëri 1 vit e 2 muaj, kur unë një natë vendosa ta vë në gjumë direkt tek unë. Kjo gjë na pëlqeu dyjave aq shumë, sa që vendosa të fle çdo natë kështu.

Kam menduar që kurrë s’do ta bëj një gjë të tillë, por sot mezi e pres kohën e gjumit që të shtrihem me vajzën time dhe t’ia ofroj rehatinë e fjetjes në përqafimin e nënës. Për mua kjo është pjesa më e mirë e ditës, pjesa më e mirë e jetës!

Nganjëherë Anika fle edhe nëse nuk shtrihem unë me të, por e kam vënë re se atë e zë gjumi më shpejt kur unë jam pranë saj.

A ka gjë më të mirë se t’i ofrosh siguri fëmijës tënd prej kohës kur është bebe? Rezultati i menjëhershëm është se beba qetësohet dhe fle më mirë në praninë e nënës, por rezultatet afatgjate janë ato që më bëjnë edhe më shumë përshtypje! Studimet kanë treguar se kur të rriten këta fëmijë:

– Bëhen më të pavarur (ironike apo jo?),
– Kanë natyrë më të gëzueshme dhe
– Përshtaten më shpejt në ambiente të reja.

FYI unë jam një prej këtyre fëmijëve! Kam fjetur me nënën time deri në moshën 5 vjeçare, kohë kur nëna ime e kishte kokën më rehat ngase nuk lexonte komente e kritika në Facebook. Sot më mungon shumë kjo kohë dhe do të jepja cilëndo prej këtyre ditëve për ta kthyer vetëm një pre atyre netëve. Andaj, përderisa stresoheni dhe planifikoni si ta vendosni fëmijën në shtratin e vet ose dhomë ndaras, shijojeni edhe pak – shkon shumë shpejt!

Leave a Reply

%d bloggers like this: