Jeta

Ushqimi i yndyrshëm tek fëmijët

Kur fillojmë t’i ushqejmë fëmijët me ushqimin që e hamë edhe vetë, ata fillojnë të njoftohen me yndyrërat, disa lloje prej të cilave janë edhe më të dëmshme se që mendojmë. Në përgjithësi vetëdijesimi ynë për të mos i ushqyer fëmijët me ushqime të fërguara  po rritet, por megjithatë jo çdo lloj i vajit për zierje dhe i ‘vajit të ullirit’ është i shëndetshëm.

Ashtu sikur sheqeri, yndyra është materie që nuk gjendet në natyrë sikur ushqimet tjera (drithërat, pemët e perimet) por është rezultat i përpunimit industrial të bimëve për të nxjerrë vajin nga ato. Pasi që bimët janë një ushqim i shëndetshëm, edhe vaji i tyre është i shëndetshëm, por me disa kushte:

  • Kushti i parë është që shtrydhja e tyre të bëhet në të ftohtë, domethënë pa temperaturë të lartë e cila e shndërron vajin në toksik (shkakton shfaqjen e helmeve gjatë përpunimit).
  • Kushti i dytë është që ky vaj të mos jetë i hidrogjenizuar, pra në gjendje të ngurtë si margarinë apo tlynë bimore (trans yndyra). Ky vaj (vaji i hidrogjenizuar) i përpunuar në atë mënyrë që nëpër të futet hidrogjeni duke e ngurtësuar, është shumë i dëmshëm për organizëm, sepse ngurtësohet edhe në enët e gjakut. Ky produkt që shitet si margarinë dhe tlynë bimore, është jonatyral sikurse qumështi afatgjatë, të cilin organizmi nuk e njeh si ushqim, prandaj toksinet sillen një kohë të gjatë në trupin tonë.
  • Kushti i tretë është që as vajërat e shëndetshëm të shtrydhur në të ftohtë (siç është vaji i ullirit, por edhe i lule diellit dhe i misrit) të mos  përdoren në sasi të mëdha, sepse organizmi nuk ka mundësi që të lirohet nga teprica e yndyrës përmes urinës, djersës apo jashtëqitjes, por vetëm me angazhim mjaft të madh fizik. Pasi që njeriu bashkëkohor nuk ka ndonjë angazhim të madh fizik, këto teprica grumbullohen në organizëm në formë dhjami.

Është me rëndësi që para se të blejmë një produkt (vaj ose gjalpë) të jemi të vetëdijshëm se në treg ka lloj-lloj prodhuesi dhe produkti. Para disa vjetësh, në Spanjë, dy vëllezër kishin hapur një fabrikë ku vaji i ullirit prodhohej përmes temperaturës shumë të lartë për të nxjerrur sa më shumë vaj nga ulliri – i cili edhe shitej me çmim shumë të lirë. Kjo gjë u zbulua vetëm pasi që u sëmurën konsumatorët dhe ky skandal rezultoi me vdekje të shumta që lidheshin me përdorimin e këtij vaji. Ky është vetëm një shembull që edhe në shtetet evropiane ka lëshime në treg. Prandaj, zgjedhni mirë prodhuesin e vajit që ju e bleni dhe në përgjithësi yndyrën përdoreni sa më pak.

Margarina

Lloji më i dëmshëm i yndyrës që shitet në tregun tonë është margarina. Margarina është yndyrë e hidrogjenizuar, trans yndyrë e cila rritë kolesterolin ‘e keq’ në organizëm, bllokon enët e gjakut dhe një nga shkaktarët e sëmundjes së kancerit, pasi që deponohet në organizëm si toksinë. Vetëm paramendojeni një tenxhere në të cilën paraprakisht kemi shkrirë margarinë sa vështirë pastrohet – edhe më vështirë pastrohet organizmi ynë nga kjo yndyrë! Pra, thuani JO margarinës për konsum nga familja juaj.

Vaji i misrit, i susamit, i lulediellit dhe vaji i ullirit

I shtrydhur në të ftohtë, vaji i misrit dhe vaji i susamit janë vajërat më të mirë për përdorim. Pas këtyre vijnë vaji i ullirit dhe vaji i lulediellit – gjithmonë të shtrydhur me teknikë të ftohtë. Me vajin e misrit duhet të kemi kujdes që mos të jetë nga misri i modifikuar gjenetikisht, sepse në këtë rast bëhet shumë i dëmshëm. Për familjen time e përdori vajin e misrit OLIN pasi që nxjerret nga misri i pa modifikuar, ndërkaq vajin e ullirit e blejmë nga një prodhues lokal në Ulqin, për të cilin e dimë sigurt se shet vaj të dorës së parë. Në tregun tonë prej llojeve të vajit të ullirit që unë e përdori si më të sigurtin është MONINI.

Gjalpi

Në sasi të mëdha, gjalpi është ndër shkaktarët kryesorë të kolesterolit të lartë. Por, në masë të duhur, pa ia tepruar me sasi, gjalpi është i shëndetshëm posaçërisht për fëmijët, pasi që përmban vitamin A, E dhe K2. Gjalpi shtazor përmban më pak trans yndyra se sa margarina bimore, prandaj në këtë aspekt është më pak i dëmshëm se margarina.

Shëndetin e fëmijëve tanë e ndërtojmë sot, që ata të kenë një jetë të gjatë dhe pa probleme në të ardhmen.!

Leave a Reply

%d bloggers like this: