Ditar Jeta Shëndeti

Të ngritesh përsëri (jeta pas abortit)

Të kesh fat në fatkeqësi, do të thotë shumë. Të takosh doktorë që të japin llogari pse intervenimi nuk është kryer me sukses dhe ta shpjegojnë gjendjen shëndetësore, më duket se ndodhë vetëm në serialin Grey’s Anatomy.

Mirëkuptim, njerëzi, respekt. Virtyte të tilla rrallë shohim. Prandaj kur takojmë doktorë dhe infermiere të sjellshëm dhe të mirë, befasohemi. Infermere dhe doktor/esha të mirë/a kam pasur fatin të takoj gjatë kësaj here dhe do t’i kujtoj gjithmonë. Por, nuk mund ta harroj që kam qëndruar 7 ditë në spital, në kujdes pothuajse intenziv, pa qenë e informuar se me çfarë komplikimi po përballem.

Të kthehemi tek pyetja fillestare: pse u shtriva në spital?

Të gjitha gratë e dinë që dy vija të kuqe ta ndryshojnë jetën. Një test shtatzënie pozitiv, në rastet më të shpeshta do të thotë ardhje e një dhurate në jetën tënde, e në rastin tim të fundit – alarm i rrejshëm. 

Lajmi se diçka nuk është në rregull me shtatzëni, është i tmerrshëm. Unë e kam përjetuar për të parën herë dhe kam qenë e tronditur tërë pasditen. Të nesërmen më kaploi një mërzi sikur kur mban zi për një person të dashur, e pas 3 ditësh fillova të mësohem nga pak me idenë që nuk ka bebe. 

Cila ishte arsyeja e abortit tim? Disa grave iu ndodhë që të përjetojnë një shtatzëni me qese të zbrazët gestative (blighted ovum) që do të thotë se për shkak të një problemi kromozomal, trupi i nënës nuk e pranon embrionin, përderisa qesja formohet. Në shumicën e rasteve, trupi i nënës e largon edhe këtë qese pa problem, në rastin tim, qesja nuk largohet pa intervenim. 

Në jetën time, një ligj që funksionon edhe më shumë se Ligji i Gravitetit, është Ligji i Marfit: nëse një gjë mund të ndodhë, do të ndodhë. Kështu, në raste të rralla, pastrimi nuk kryhet tërësisht pas intervenimit të parë dhe gjendja shëndetësore komplikohet. E pasi që kjo gjë mund të ndodhë, më ndodhi mua! E lënë vetëm në dhomën 36 të Konzervativës, pa asnjë shpjegim (e vetmja info që më dhanë është se e kam rastin e komplikuar, që më shqetësoi edhe më shumë), u desh të prisja edhe tri ditë tjera për intervenimin e radhës, e pastaj edhe dy ditë tjera për shkak të antibiotikëve dhe kujdesit të shtuar që më jepej, për të cilin nuk mund të ankohem!

Të ngritesh pas abortit

Në QKUK ka vend për të gjithë pacientët, më së lehti është të shtrihesh, e më së vështiri është të ngritesh. Të ngritesh me plot kuptimin e fjalës: duke qëndruar e fortë fizikisht dhe psiqikisht. Nëse një gjë kam mësuar nga jeta është se të fortit mbijetojnë. Por, gjithashtu duhet të gjesh kohën për të qenë e dobët, e brishtë. Pas një aborti, duhet t’ia lejoj vetes që të jem e dobët dhe të mërzitem. Aborti është humbje, është mërzi… edhe nga terapistët këshillohet që të pranohet si e tillë.

Në shoqërinë tonë, temë gati aq tabu sa seksi është çështja e abortit. Abortin tek ne e fshehin gratë të cilat e kanë kaluar, për 2 arsye: 1. Fshehet sepse gruaja pas abortit ndjeket nga paragjykimi (zakonisht i anës së burrit) se ndoshta ajo më nuk do të jetë në gjendje të lindë, kështu gruas te ne i humbë vlera. 2. Kur aborti nuk është spontan por i qëllimshëm është turp, sepse një grua duhet patjetër ta mbajë fëmijën. Pavarësisht rrethanave, gruaja apo vajza nuk ka të drejtë të vendosë për planet në jetën e saj. Pra tek ne aborti i qëllimshëm është turp, ndërsa ai spontan është si një fantazmë që të ndjek kudo me pyetjen “A do të mund të lindësh ndonjëherë ti?”.

Kjo është arsyeja pse kam vendosur të shkruaj për abortin tim. Shtatzënia e dështuar duhet pranuar si humbje, të vajtohet dhe në fund të vazhdohet përpara me jetën – të gjesh forcën dhe vullnetin për t’u ngritur sërish. 

Unë jam ende në proces të këndelljes, është shumë herët ta lë prapa vetes këtë përjetim, por me ndihmën dhe dashurinë e njerëzve me të cilët jam bekuar në jetë, e di se edhe kjo do t’i përkasë të shkuarës… së shpejti. E sa për Qupin, një motër a vëlla do t’ia bëjmë sapo të ndjehemi sërish gati 🙂

1 comment

  1. Besoj qe te kuptoj shume mire ne kete aspect…
    e njejta diagnoze e merzia dhe vajtimi im ka zgjatur bukur shume …dhe tash edhe pas dy femijve ende e kujtoj ate date qe ma ka keputur shpirtin..
    jete te gjate ty dhe vajzes

Leave a Reply

%d bloggers like this: