Shkrim që duhet ta lexojë posaçërisht Anika kur të rritet.
Fëmijët janë ‘specie’ me shumë kërkesa dhe pavarësisht raportit me prindërit, ata gjithmonë kanë nevojë të llastohen edhe më shumë. E këtu iu vjen në ndihmë tezja, e cila është e gatshme për t’ua plotësuar secilën dëshirë. Kjo është vetëm arsyeja e parë pse tezen ndryshe mund ta quajmë ‘supernjeri’.
- Dëshira jote, urdhër për tezen
Në të shumtën e rasteve pa dëshirën e prindërve, tezja është njeriu i parë që e llaston fëmijën. Çkado që për nënën është JO, tezja e bën pa problem – vetëm për t’ia plotësuar dëshirën mbesës/nipit. Përderisa nëna analizon se cilat mund të jenë anët negative të plotësimit të një dëshire, për tezen është me rëndësi vetëm që vogëlushi/ja e saj të jetë e lumtur. Me Malisën gjithmonë jemi krenuar se nuk grindemi për asgjë, deri sa ka ardhur në pyetje plotësimi i dëshirave të tepërta të Anikës.
- Tezja nuk të ka lindur, por të ka dashur sikur të jesh fëmija i saj
Dashuria e tezes është e pakushtëzuar. Prej momentit të parë kur tezja mban mbesën në dorë, krijohet një lidhje e pashkëputshme. Më kujtohet kur Malisa për herë të parë e mori Anikën në duar: përpos që vërejta sa shumë i përngjan, vërejta edhe një lidhje të fortë në mes të dyjave. Thonë se ‘tezes i vjen era nënë’ por unë nuk mendoj se nëna hyn në këtë lidhje – është thjeshtë raporti teze-mbesë.
- Tezja është nënë e dytë
Kush e ushqen Qupin? Kush ia ndërron pelenën? Kush ka durim ta lajë 20 minuta Qupin bashkë me kukullat e saj? Kush është në gjendje të trillojë përralla të reja për Qupin edhe pas një dite të lodhshme? – Tezja! Prandaj sa herë shkojmë te gjyshi, Qupi së pari e kërkon tezen.
- Gjërat që nëna nuk do t’i thotë, do t’i mësosh nga tezja
Pavarësisht të gjitha gjërave që i kalon në jetë, pavarësisht sa vjeçe je, tezja asnjëherë nuk të gjykon. Fundja, ajo është motra e nënës tënde, ajo gjithmonë do të ketë vendin më të veçantë në zemër për ty. Momentet e kaluara me tezen janë më të çmuarat. Prandaj, në prani të Malisës, fytyra e Anikës është pamja e një fëmije të lumtur – pamja më e bukur që e kam parë!