Një recetë shumë e lehtë që e kam gjetur dhe kam filluar ta përgatis kohë më parë, është keku/buka me banane. Kjo recetë në mes të kekut dhe bukës, është nga gjërat e preferuara për familjen time. Mund t’i zëvendësojë (sa për ndryshim) pogaçet apo kiflet në mëngjeset e vikendit, ose të përgatitet për ta shoqëruar çajin e pasdites.
Receta
Për bukën me banane ju nevojitet:
- 1/2 gotës gjalp i ndarë në kubëza
Para se të filloni përgatitjen, lëreni gjalpin në temperaturë të dhomës, d.m.th. të jetë i butë që shtypet lehtë.
- 3/4 e gotës sheqer (preferohet i kaftë)
- 2 banane të buta
- 2 vezë
- 2 gota miell
- 1 paketim pluhur për pjekje
- Maja e lugës me kripë
- Pak kanellë
- Arra të copëtuara ose të bluara (opsionale)
Mënyra e përgatitjes
Në një enë vendoset mielli, pluhuri për pjekje, kripa, kanella dhe arrat. Në një enë tjetër shtypet gjalpi me sheqer dhe përzihen mirë me piru. Masës që fitohet,i shtohen bananet e shtypura dhe dy vezët. Përzihen mirë bashkë me enën ku kemi lënë miellin, dhe i tërë brumi vendoset në tepsi, në të cilën paraprakisht ose kemi vënë pak vaj, ose e kemi vendosur letrën për pjekje.
Pas 1 ore në furrë prej 200 gradë, buka është gati dhe mund ta hamë me xhem, gjalpë kikiriku, ose me tahin – pastë susami.