Jeta Plani ushqimor Rita's Health Line

Sëmundjet që shfaqen nga intoleranca ndaj një ushqimi

Intoleranca ndaj ushqimit dallon prej alergjisë, megjithatë manifestohet me probleme në organizëm. Më poshtë gjeni disa shembuj të intolerancës dhe sëmundjet që mund të shkaktojë.

Sëmundja Celiake dhe intoleranca ndaj glutenit

Sëmundja Celiake – është një sëmundje digjestive e cila dëmton zorrët e holla dhe ndërhyn në thithjen e lëndëve ushqyese nga ushqimi. Njerëzit që vuajnë nga sëmundja celiake nuk mund të tolerojnë një proteinë të quajtur “gluten” e cila gjendet në grurë, thekër dhe elb.

Simptomat: diarre, humbje peshe, meteorizëm, anemi, dhembje e kockave, lodhje kronike, mangësi të ndryshme ushqyese.

Dieta: sikurse të gjitha alergjitë e ndërmjetësuara nga IgE dhe qelizat, edhe kjo sëmundje ka për qëllim shmangien e të gjitha llojeve të grurit. Preferohen ushqimet me etiketime “gluten –free” dhe bukë nga miell hikërrori (buckwheat) që nuk përmban gluten.
Në grupin e dytë, do të flas për intolerancën ushqimore, që përfshinë mekanizma jo-imunologjik në ndryshim nga alergjitë e vërteta ushqimore, ku njihen dy forma:

Intoleranca në Laktozë

Është çrregullim metabolik që lidhet me mungesën e një enzime të quajtur β-galaktosidaze ose laktazë në mukozën e zorrëve. Si rezultat, kur konsumohen produktet e qumështit ose vetë sheqeri i qumështit – laktoza, nuk mund të metabolizohet në monosakaridet e saj (galaktozë dhe glukozë) dhe më pas laktoza e patretshme nuk përthithet nga mukoza e zorrës së hollë, pastaj kalon në zorrën e trashë, ku bakteria e ndodhur aty e metabolizon atë në CO2, H2 dhe H2O duke shkaktuar kështu simptomat: flatulence, ngërqa abdominal dhe diarre.

Dieta: Në dallim nga alergjitë, personat që kanë intolerancë në laktozë mund të tolerojnë një sasi të vogël të laktozës në dietën e tyre. Prandaj lejohet deri në 12g laktozë (ose 235 ml) që është baraz me një gotë qumësht, mirëpo menjëherë kur kalon dozën mbi 12g atëherë shfaqen reaksionet e padëshiruara. Kështu, intoleranca në laktozë është e menaxhueshme përmes dietës, dhe pacientëve iu preferohet të konsumojnë më shumë ato produkte të bylmetit si jogurtin dhe qumështin që përmban baktere acidophilus, sepse tolerohen më mirë. Duke marrë parasysh që sasinë më të madhe të kalciumit e marrim përmes produkteve të qumështit, në dietën e tyre duhet të ketë ushqime të tjera të pasura me kalcium si: perimet e gjelberta, salmon, sardinet, brokoli, portokall, fasule, bajame dhe fiq.
Mungesa e enzimës Glukozë-6-fosfat-dehidrogjenaze apo ndryshe Favism

Shfaqet si rezultat i intolerancës nga konsumimi i fasuleve Fava, ose edhe inhalimi i polenit të bimës me emrin Vicia Faba. Simptomat shfaqen 5-24 orë pas gëlltitjes, ndër simptomet më të shpeshta janë: zbehje, lodhje, nauze, dhimbje barku ose shpine, temperature dhe ethe. Ato më të rralla janë: hemoglobinuria, anemia, zverdhje e deri në pamjaftueshmëri të funksionit të veshkave. Fasulet Fava,përmbajnë disa oksidant natyralë (vicine dhe convicine) që janë të aftë të shkatërrojnë eritrocitet te personat me mungesë të enzimës G6PD.

Dieta: Duhet të jetë e pasur me acid folik që duhet të merret më shumë përmes ushqimit, të konsumohen më shumë legume, asparagus, spinaq, mëlçi, avokado, panxhar i kuq, brokoli, leblebi. Gjithashtu ushqime që përmbajnë selenium dhe vitamin E, sepse këto të dyja në bashkëpunim me njëra-tjetrën marrin pjesë si kofaktor të glutationperoksidazës që është e nevojshme për të prodhuar glutationin – një ndër antoksidantët më të rendësishëm për organizmin. Ushqimet që kanë përmbajtje të lartë të seleniumit dhe vitaminës E janë: peshku lëkurë-verdhë, arrat braziliane, shojzë e gatuar, sardina, mish viçi që është ushqyer me bar, gjeldeti, vezë, spinaq, mëlçi të viçit.
Astma e shkaktuar nga sulfitet

Është një reaksion idiosinkretik (i veçantë) që ndodh 15-30 minuta pas konsumimit të ushqimeve apo edhe medikamenteve që përmbajnë sulfite, duke shkaktuar simptoma sikur astma bronkiale, ënjtje e fytyrës, urtikarie në lëkurë ose edhe shqetësime gastrointestinale. Sulfitet përdoren si përbërës shtesë të shumë llojeve të ushqimit dhe për qëllime të ndryshme si për shembull: në pijet e fermentuara (tek vera) për të parandaluar shumimin e mikroorganizmave në musht, kontrollimin e procesit të errësimit enzimatik e joenzimatik (tek patatet), në kondicionimin e brumërave (lloje të brumërave të ngrirë), veprim antioksidant duke shkatërruar oksidazat (tek qershitë dhe te kaçamaku, dhe te turbullimi i verës). Sulfitet ekzistojnë në disa forma: dioksid sulfuri, metabisulfit natriumi, metabisulfit kaliumi, bisulfit natriumi, bisulfit kaliumi dhe sulfit natriumi, megjithëse të gjithë këta si përbërës në ushqime kanë kimi të ngjashme por që varet nga pH. Kur sulfitet shtohen në ushqim, fati i tyre është shumë kompleks. Po i përmend pijet acidike që çlirojnë gaz SO2 në atmosferë, çka mund të shkaktojë reaksione të rënda anafilaktike kërcënuese për jetën.

Dieta:  Astmatikët me ndjeshmëri në sulfite duhet t’i shmangen konsumimit të produkteve që përmbajnë sulfite në dietën e tyre. Për fat të mirë, këta pacientë mund të tolerojnë sasi të vogla të sulfiteve (të përshkruara në etiketat e produktve shkruhen nivelet e mbetura prej më pak se 10 ppm deri në 2000 ppm në disa fruta te thata). Një kujdes në përdorimin e marules dhe patateve duhet të iu këshillohet këtyre pacientëve, sepse përmban mbetje të sulfiteve edhe pse është ushqim i freskët. Shmangie të pijeve acidike, birrës, veres (sidomos verës së bardhë të ëmbël, për shkak se sulfitet i shtohen më shumë për të parandaluar fermentimin e sheqerit). Iu preferohet të mos përdorin shpesh supa të paketuara por të përgatiten vetë në shtëpi. Kujdes duhet t’i kushtohet në konsumimin e frutave të detit, sepse guacave të detit, karkalecave dhe karavidheve iu shtohen sulfitet për të ruajtur ngjyrën e tyre, duke i bërë të duken në pamje më të freskëta. Gjithashtu në dietën e tyre duhet të evitohet përdorimi i disa frutave të thata si kajsitë e thata dhe rrushi i bardhe.
Një listë e ushqimeve që i preferohet personave me alergji dhe intolerancë në ushqim:

• Ushqime që përmbajne enzima tretëse – që ndihmojnë të zbërthejnë ushqimin në pjesë të vogla dhe më lehtë të tretshme p.sh. Ushqime të papërpunuara ,farat, legumet, avokado, ananas, mango, kivi, rrush, mjaltë, vaj kokosi. Dhe mos përtypni çamçakëz sepse “mashtrohet” trupi duke menduar qe po tretë diçka dhe kështu nxjerrë jashtë apo harxhon ato enzima të nevojshme!

• Probiotikët – jogurti, kefiri, që përmbajnë “baktere të mira”, ndihmojnë sistemin imunitar

• Ushqime që përmbajnë MSM ( Methylsulfonylmethan): qepa, hudhra, asparagus, lakër jeshile, embrion i grurit dhe legumet, që nuk lejojnë alergenët të kalojnë në sistemin qarkullues (në gjak).

• Ushqime të pasura me vitamin B5 ose acid pantotenik: kërpudha, lulelakra, brokoli, misri, farat e lulediellit, salmoni, duke ndihmuar kështu funksionimin e mirë të veshkave dhe duke mbajtur nën kontroll alergjinë.

• Ushqime të pasura me L-glutaminë: proteina shtazore (mish, vezë), arra, lakër e kuqe, fasule dhe legume, duke rregulluar traktin digjestiv dhe sistemin imunitar.

Leave a Reply

%d bloggers like this: