Shëndeti Ushqimi

Dobitë e hikërrorit për fëmijë të shëndetshëm!

Vjeshta është koha më e mirë për të mbledhur familjen pranë. Dikush mezi i pret gështenjat e ziera, dikush kungull të pjekur me kanellë, ose ndonjë ëmbëlsirë me molla… vjeshta të ofron kaq shumë mundësi dhe receta për të kënaqur fëmijët dhe të rriturit!

Unë dhe Qupi (18 muajshe) e shijojmë çdo ushqim që na ofron vjeshta, por më së shumti gëzohem që kjo është koha ideale për të konsumuar hikërrorin/hejdën. Kjo farë që për nga pamja dhe mënyra e përgatitjes ngjason shumë me drithëra, ka dobi të shumta në organizëm:

  • I pasur me antioksidante
  • Mbron shëndetin e zemrës
  • I pasur me proteina të tretshme
  • I pasur me fibra që ndihmojnë tretjen e ushqimit
  • Ndihmon në parandalimin e diabetit
  • Nuk përmban gluten
  • Jo-alergjik
  • I pasur me shumë vitamina dhe minerale (ndër të tjera, magnez, hekur, vitamin B6 dhe zink)
2017-10-09-10-37-58-1-e1507540485165.jpg
Anika duke ngrënë hikërror për darkë

Receta më e lehtë

Hikërrori përgatitet mjaft lehtë dhe shpejtë, pothuajse sikur orizi i zier!

1.Marrim një filxhan hikërror të shpëlarë me ujë, dhe e vendosim në një tenxhere mbi shporet ku zjarrin e kemi në maksimum. Fillimisht e fërgojmë 2 minuta hikërrorin duke përzier vazhdimisht.

2.Shtojmë ujin. Për një filxhan hikërror, shtojmë 2 filxhanë e gjysmë ujë dhe e lëmë të vlojë.

3.Kur fillon të vlojë uji, e ndalim temperaturën në minimun dhe e mbulojmë tenxheren me kapak. Për 20 minuta, uji do të jetë shtjerrë, dhe hikërrori është gati!

Unë ia shtoj  një lugë kripe dhe pak vaj ulliri, por kjo është opsionale. Qupit i pëlqen hikërrori i zier më shumë se orizi.

2017-10-09 10.37.59 1.jpg
Hikërror i zier dhe jogurt për Anikën

 

Shumë i dobishëm është edhe mielli i hikërrorit, të cilin në Prishtinë e gjeni te dyqani Fruitland. Këtë miell mund ta përdorni për gatimet e përditshme me miell gruri, si bukë shtëpie, pallaçinka, llokuma, muffins, etj. nëse e përzieni me miell gruri as në shije nuk do ta vëreni se është ndryshe nga ai që jemi mësuar ta përdorim!

Leave a Reply

%d bloggers like this: