Jeta Shëndeti

Të largosh fëmijën nga gjiri

Javën e kaluar filloi Java Botërore e Gjidhënies, ndërsa unë në ditën e parë të kësaj jave ia ndërpreva gjirin Anikës. Kjo natyrisht se ishte vetëm një rastësi. Kur u informova për shënimin e kësaj jave, Qupi vetëm kishte filluar ta ‘harrojë’ qumështin e gjirit.

Kur është koha e duhur për të larguar fëmijën nga gjiri? Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që fëmija përpos ushqimit të përditshëm, të ushqehet edhe e gjirin e nënës deri në 2 vjet. Megjithatë, unë Qupit ia ndërpreva gjirin me 18-muaj dhe për mua kjo ishte koha e duhur për ta ndërmarrë këtë ndryshim në jetën tonë.

Natën kur vendosa t’ia ndërpres gjirin Anikës, Kastri ka qëndruar me të deri sa e ka zënë gjumi, sepse po të mundohesha unë ta vë në gjumë, do të qante për gji pa ndërprerë… ose deri sa të ankoheshin fqinjët për zhurmë!

A ishte vështirë? Më duket se ishte më vështirë për mua se sa për Qupin. Deri tani, Anikën tërë kohën e kam mbajtur në gji dhe pjesa më lodhshme ka qenë nata, kur Qupi ka pirë qumësht edhe në gjumë. Qysh prej natës së parë kur e largova Anikën nga gjiri, filloi të më mungojë bebja ime që qetësohej vetëm në gjirin e nënës. M’u duk se m’u rrit vajza shumë shpejt dhe më dhimbsej natën kur zgjohej për të pirë tani që ia kisha ndërprerë. Sidoqoftë, vendimin për largim nga gjiri e kisha marrë dhe nuk kishte më kthim prapa. Përndryshe, Anika qysh prej natës së dytë pa qumësht gjiri u pajtua me këtë ndryshim dhe nuk e kërkon më.

Tani jemi në fazën e “rregullimit” të gjumit të natës. Sa herë që Anika zgjohet natën, e marr afër vetes dhe mundohem t’ia kthej gjumin pa i dhënë asgjë për të pirë. Me rëndësi është që gjatë ditës ushqehet mirë dhe pi mjaftueshëm ujë e lëngje tjera. Ende nuk është mbushur një javë prej kur e kam larguar Qupin nga gjiri dhe po e vërej se tani zgjohet natën çdo herë e më rrallë. A thua do të kem sërish gjumë nate unë?!

Në fazën e kalimit prej qumështit të gjirit në qumësht lope, është e nevojshme që nëna ta mbajë fëmijën afër tërë kohën, t’ia bëjë me dije se ndonëse gji më nuk ka, nëna është pranë gjithmonë. E kam provuar vetë dhe mund të them se kjo e fundit i ndihmon edhe nënës emocionalisht në këtë hap të parë të pavarësimit të fëmijës nga nëna.

1 comment

  1. Deaaa po me vjen shume mire qe je bere nje nene dhe nje grua shembull edhe per te tjerat.
    Ty dhe Qupit ju deshiroj te gjitha te mirat ne jete. Ju perqafoj fort 😘😘

Leave a Reply

%d bloggers like this: