Shëndeti

“Myshk e sheqer, armikut zeher”

Nëse ke fëmijë dhe po bën një jetë të qetë e pa halle, prit deri sa fëmija të merr virusin e parë. Nëse ke fëmijë dhe e dërgon në kopsht, atëherë e di se për çka e kam fjalën!

Nëse ke fëmijë dhe po bën një jetë të qetë e pa halle, prit deri sa fëmija të merr virusin e parë. Nëse ke fëmijë dhe e dërgon në kopsht, atëherë e di se për çka e kam fjalën!

Unë sot u ktheva në punë prej pushimit të verës, nxënësit filluan shkollën, e Anika sot filloi antibiotikun. Dihet se kur fëmija fillon kopshtin, gjasat do të jenë më të mëdha për të marrë sëmundje, por asnjëherë nuk e prisja qe Anika, Qupi im, të sëmuret kaq shpesh!

Qysh prej javës së parë që e kemi dërguar në kopsht, pra para 5 muajsh, Anika është sëmurë 4 herë: streptokok, Rubeolla, virusi sezonal me diarre dhe të vjellur dhe së fundi bakterie në fyt. Të gjitha këto përcjellen me temperaturë të lartë dhe stres të madh për prindërit e rinj. Temperaturën e trajtojmë me paracetamol (nëse është 38.5 gradë Celsius) si dhe banjë të vakët 5 minuta. Padyshim se kjo banjë nuk është një prej atyre ku fëmijët kënaqen në vaskën e mbushur me ujë e të rrethuar me lodra gome. Kjo, është një banjë me një fëmijë të nxehtë që qan pa pushim, dhe dy prindër të frikësuar deri në palcë.

Nëse diçka kam kuptuar gjatë këtyre muajve me imunitet të dobët të vajzës sime, është se duhet të konsultohesh gjithmonë me mjekun dhe të bëhesh një lloj mjeku edhe vetë sa i përket gjërave bazike, e gjithashtu duhet të jesh e qetë. Është i papërshkrueshëm stresi që ndjen nëna sa herë i sëmuret fëmija, qoftë kjo edhe vetëm një ftohje e lehtë. Ne nënat e kemi këtë dobësi që sapo të shohim që fëmija nuk është mirë, e fajësojmë veten për këtë gjë – që është gabim i madh! Nuk varet çdo gjë prej teje. Nganjëherë i bën të gjitha siç duhet, por sërish ndodhë diçka jashtë vullnetit tënd. Këtë e kam kuptuar duke qëndruar netëve pa gjumë, e rraskapitur duke pritur t’i ulet temperatura Anikës. Këto netë, sidoqoftë, na kanë lidhur dhe afruar edhe më shumë me Kastrin. Për mua është lehtësim i madh kur e di që jemi së bashku në këtë sfidë dhe kur e shoh Kastrin duke u kujdesur për vajzën tonë, më bën të besoj se edhe kjo sëmundje së shpejti do të kalojë, gjë që fatmirësisht gjithmonë ndodhë. Nuk e di si ia dalin prindërit e tjerë, unë dhe Kastri e kemi gjithmonë edhe ndihmën e motrës sime dhe nënës së Kastrit.

Megjithatë, tani kur Anika ka ftohje ose ndonjë sëmundje tjetër të zakonshme për fëmijët, nuk e trajtojmë me stres por me përvojë. Më kujtohet gjyshja ime kur unë sëmuresha dhe kisha koll të pandërprerë. Ajo nuk stresohej dhe nuk i lejonte as prindërit e mi të bënin panikë, gjyshja më jepte njëfarë sirupi dhe si në humor ma thoshte fjalinë që e bënte gjithë magjinë e shërimit tim: “Myshk e sheqer, armikut zeher!”

 

 

Leave a Reply

%d bloggers like this: