Jeta

Dilema e radhës: Kopsht apo kujdestare në shtëpi?

Muajt e parë pas lindjes së fëmijës, quhen “pushim i lehonisë” ku nëna kalon ditë e netë pa gjum, me lodhje fizike dhe psiqike duke hapur pus me gjilpërë –  e ky për mua nuk është pushim! Sidoqoftë, për nënat që kanë kontratë pune, këta muaj llogariten si pushim i lehonisë dhe sado të ëmbël e të lodhshëm të jenë, dikur iu vjen fundi dhe duhet kthyer në punë.

Këtu fillon dilema e radhës dhe një etapë krejtësisht e re.

Vitin e kaluar, kur Anika i kishte vetem 6 muaj m’u dha mundësia për të filluar një punë të re, kështu që m’u desh të gjej një kujdestare e cila për fat të mirë ishte e përsosur! Si e gjeta kujdestaren? Kontaktova vajzën e hallës, e cila e njihte një grua, e cila e njihte kujdestaren. Pra, kjo punë kërkon shumë hulumtim dhe vendosmëri deri sa e gjen personin e duhur – gjë që secila nënë e bën për fëmijën e saj.

Në fillim Anika nuk tregonte shumë interesim ndaj dados së saj, por as nuk qante kur ishte në prani të saj, kështu që për mua kjo ishte shenjë që gjërat nuk janë aq keq sa i përket Qupit. Ajo që ishte keq, isha unë: në njërën anë puna e re, e në anën tjetër stresi për mirëqenien e Qupit, por me kohë u mësova edhe unë me ndarjen nga beba ime për 6 orë në ditë. Megjithëse shumica e dadove e kanë për detyrë t’ia përgatisin ushqimin fëmijës, dadoja e Anikës e ka pasur detyrë vetëm ta ushqejë me mëngjesin dhe zëmrën që unë ia përgatisja para se te nisem në punë, dhe natyrisht ta vendosë në gjumë 2 herë në ditë. Pasi që Anika ishte mësuar të flejë vetëm në gji, dadoja e saj e solli djepin në shtëpinë tonë dhe aty Qupi – si të gjitha bebet tjera u përshtat menjëherë dhe flinte pa problem (për këtë temë më gjerësisht në shkrimin për gjumin e bebes.)

Kur Anika i mbushi 1 vit, e dërguam në çerdhe/kopsht.

Plani kishte qenë që Anika të qëndrojë në shtëpi me kujdestaren deri 18-muaj (1 vit e gjysëm), por për shkak se kujdestares i konvenonte të fillojë një punë tjetër gati 2-vjeçare, dhe se edhe neve na konvenonte më shumë nga ana financiare, vendosëm Anikën ta dërgojmë në kopsht prej kur i mbushi 1 vit.

2 javët e para shkoja bashkë me Qupin në kopsht për 2-3 orë. Pas 2 javësh fillova ta lë vetë, dhe në fillim natyrisht se nuk pranonte të rrijë pa mua, qante dhe nuk hante asgjë në kopsht –  fëmijët prej 12-18 muaj e kanë ankthin e ndarjes nga nëna dhe kjo i bën më agresiv kur i lë në kopsht. Por, brenda dy javëve në vijim, Qupi u përshtat në kopsht dhe tani shkon atje me dëshirë. Kuptohet, secili fëmijë është ndryshe dhe për secilin duhet kohë e posaçme për t’u përshtatur me këtë ambient krejtësisht të ri në jetën e tyre.

Nëse mund ta përshkruaj shkurtër përvojë time me ambientimin e Qupit në kopsht, mund ta quaj e-ëmbël-në-të-hidhur.  Kjo, sepse qysh në javën e parë, Qupi u sëmur me Rubeolla, si dhe me bakterien streptokok në fyt. Nga rubeolla u shërua pas 4 ditësh (sa zgjat zakonisht kjo sëmundje), ndërsa fyti iu shërua pas 1-javë terapi me antibiotikë. Këshilla që mora nga doktoresha familjare ishte të vazhdoj ta dërgoj në kopsht, sidomos pasi që nuk kisha zgjidhje tjetër, sepse fëmija e fiton vetë imunitetin me kohë dhe është normale që në fillim të sëmuret.

1. Ambientimi me ambientin e ri të kopshtit; 2. sulmi i viruseve dhe i bakterieve ndaj sistemit imunitar të fëmijës deri sa ta fitojë imunitetin dhe 3. kafshimet eventuale nga fëmijët tjerë, ishin të metat e kopshtit. Tani është radha të tregoj në të mirat e kopshtit të Qupit, sipas përvojës sime:

  • Pronarët e kopshtit të Qupit janë një familje e tërë që angazhohet në këtë institucion.
  • Ushqimi që hanë fëmijët është i ngjashëm me atë që Anika ha në shtëpi: pemë, perime dhe mish i freskët, oriz, dhe një herë në javë brum si pite dhe llokuma. Menyja e kopshtit të Anikës nuk përmban ushqime të konservuara dhe kryesisht përbëhet nga perimet e freskëta që pronari i kopshtit i blen vetë në treg.
  • Në kopsht Anika është mësuar të luajë me fëmijët tjerë, të presë në rend për të marrë diçka, t’i ndajë gjërat e veta me të tjerët dhe po e shoh që gradualisht është duke u mësuar të flejë vetë në krevat, pa pasur nevojë për praninë time.

Pra, pavarësisht sa rehat të jetë fëmija në shtëpi, unë jam shumë falenderuese që e kam punën dhe duhet ta dërgoj Qupin në kopsht. Me përjashtim të sëmundjes në fillim dhe kohës së përshtatjes me ambientin e ri, deri tani Qupi ka marrë shumë të mira nga kopshti. Më e mira e kësaj është që Anika, Qupi im, me kalimin e kohës çdo herë e më shumë të mira do të nxjerrë nga kopshti deri sa të vjen koha për shkollë. E deri atëherë, unë do t’i ndaj përvojat e mija me të gjithë lexuesit/set e blogut tim!

1 comment

Leave a Reply

%d bloggers like this: