Shëndeti Ushqimi

Qumësht gjiri apo formulë?

Para se të lindja Anikën, të ushqyerit e fëmijës me gji, më është dukur gjëja më e thjeshtë dhe një gjë që e bën secila nënë. Pasi linda Anikën, e kuptova që është prej gjërave më të komplikuara dhe (sipas statistikave të fundit) e bën vetëm 20% e nënave në Kosovë!

Kam pasur fatin e tillë që kur të bëhem nënë, dorën e majtë ta kem të thyer pas një rrëzimi të lehtë në javën e 37-të të shtatëzënisë. Kështu, në Klinikën e Neonatalogjisë në QKUK, mua më njihnin të gjithë si “ajo nana me dorë të thyme” dhe ky pseudonim shoqërohej gjithmonë me një fytyrë të mërzitur. Por, fatmirësisht kjo do të ishte brenga ime e fundit (deri në ditën e sotme), pasi që unë me dorë thyer, e me 72-orë dhembje të lindjes, u bëra nënë e Qupit 4 kg – 56 cm. E, kjo mbetet krenaria e ime e përjetshme!

 

Untitled

Anika 3-ditëshe dhe Kastri duke më ndihmuar t’i jap gji, ndonëse me dorë të thyer

 

Duke pasur parasysh që ka shumë nëna me qumësht gjiri të mjaftueshëm, por që nuk i mbajnë në gji fëmijët e tyre, do të ishte pothuajse normale që edhe unë me një gji të “bllokuar” nga gipsi i dorës së thyer të heq dorë nga gji-dhënia. Por, sërish ia dëshmova vetes që asgjë nuk është e pamundshme. Gjidhënia, në fillim është një proces i vështirë, si për nënën ashtu edhe për foshnjën. Por pasi të kalojnë ditët e para dhe të  fitohet përvoja, është lehtësim i madh, sepse mund ta ushqesh fëmijën kurdo dhe kudo.

Megjithatë, për mua ditët e para të gjidhënies kanë qenë një ankth i vërtetë:

  • Qupi nuk dinte të thithte gjirin, e as unë nuk dija t’i jepja gji. 

Por, fatmirësisht njoha një infermiere/mami të mrekullueshme, e specializuar për ndihmë në gjidhënie, e cila erdhi dhe më shpëtoi nga mastiti (inflamacioni i gjirit që shoqërohet me temperaturë deri te humbja e vetëdijes) të cilin e marrin shumë nëna të reja si pasojë e mungesës së informacionit të duhur për gjidhënie. Mamia më mësoi t’i jap Anikës gji dhe falë vullnetit tim e ndihmës së saj, Anika konsumon ushqimin më të shëndetshëm në botë – tamlin e nanës. Sot, sa herë dëgjoj që një nënë e re ka probleme me gji, unë ia rekomandoj infermieren (që për hir të konfidencialitetit nuk po ia publikoj emrin, por nëse i duhet dikujt, më shkruani).

  •  Qupit nuk i mjaftonte qumështi i gjirit

Anika ka qenë prej atyre foshnjeve që rrinë tërë ditën në gji. Edhe mua më konvenonte kjo gjë, sepse me Qupin në gji, ulesha para TV dhe shikoja serialin “The Walking Dead”. Gjashtë sezona i kam shikuar brenda 40-ditëshit të lehonisë! Por, paradite ia jepja edhe 30 ml formulë. Ndërsa në mbrëmje, para gjumit, pasi që ngopej me qumësht gjiri pinte edhe 40 ml formulë. Kështu Qupi flinte 6-8 orë pa u zgjuar fare. Me kalimin e kohës, pas një muaji, si duket edhe m’u shtua prodhimi i qumështit dhe Anika e la formulën. Dikush mund të thotë që s’është e mundur foshnja të heqë dorë vetë nga diçka, por Anika thjeshtë një natë vendosi të mos pijë më kurrë formulë dhe nuk e donte shishen. Atëherë unë vazhdova vetëm me gji dhe kjo gjë ma ka lehtësuar jetën si nënë e re.

  • Dhembja e gjinjve në javën e parë është gati sa dhembja e lindjes!

Dhembja më e madhe zgjatë 3 ditë (ashtu si çdo çudi tjetër). Pas 3 ditëve të para, dhembja zvogëlohet por nuk kalon krejtësisht deri në afërsisht 1 muaj. Lajmi i mirë është që dikur mësoshesh me këtë dhembje. Kjo nuk duhet të jetë arsye që ti ta largosh fëmijën nga gjiri, sepse dobitë e gjidhënies janë shumë më të forta se çfarëdo dhembje.

  • Asnjëherë nuk mund ta dish saktë sa ka pirë fëmija

Mbi të gjitha streset që i sjell me vete një foshnje e sapolindur, stresi më i madh për mua ishte të kuptoja sa po pi Anika. Kisha dëgjuar shumë raste në spital kur foshnja thithte, por pasi që nuk e kishte tërhequr majën e gjirit si duhet nuk kishte pirë mjaft qumësht, prandaj nuk shtonte peshë. Me shishe ishte shumë lehtë, sepse e dija saktë sa ml qumësht po i jap Qupit. Me kalimin e kohës, edhe gjirit fillova t’ia marr dorën dhe mund ta vëreja kur po gëlltit Qupi.

IMG_20160702_100610

Ankthi i gjidhënies është diçka që zgjatë disa ditë. Ndërsa kënaqësia që ky proces i të ushqyerit ta jep, është e paçmim për çdo nënë e fëmijë. Gjidhënia është përqafimi i parë dhe më i ngrohtë që nëna e merr prej fëmijës së saj. Është ngrohtësia e parë që e ndjen fëmija sapo vjen në botë, është mirëseardhja më e ëmbël që mund ta pranojë ndonjëherë në jetë. Sidoqoftë, pavarësisht a me gji apo me formulë, secila nënë e do fëmijën më së shumti dhe secila lidhje nënë-fëmijë është e fortë dhe unike në mënyrën e vet.

IMG_20170730_134325

Leave a Reply

%d bloggers like this: